Roli i Avokatit – Misioni i Avokatisë

Roli dhe misioni i avokatit dhe avokatisë është sa fisnik aq edhe i domozdoshëm për shoqërinë, një ndër bazat dhe themelet e shtetit të së drejtës. Të jesh avokat do të thotë të kesh një profesion fisnik dhe në shërbim të drejtësisë sepse është pikërisht shoqëria dhe evolimi i jetës e cila kërkon drejtësi në zbatim të ligjeve dhe vendosjen e të ashtuquajturës drejtësi sociale.

Avokati ka për detyrë të zbatojë proçedurat konform ligjeve por mbi të gjitha duke respektuar Kodin Etik të Avokatit të përmbushë misionin për të cilin e ushtron këtë profesion. Roli i avokatit është të përfaqësojë dhe të ofrojë këshilla dhe ndihmë juridike, me pak fjalë ky është misioni dhe profesioni i avokatit.

Avokati, në funksion të ushtrimit të profesionit të tij, ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e administratës publike, në përputhje me ligjin, shpjegime, të dhëna dhe dokumente, që kanë lidhje me çështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet prej tij. Institucionet e administratës publike, sipas kompetencës dhe proçedurave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre, janë të detyruara të përmbushin kërkesat e avokatit.

Avokati ka të drejtë të takojë personin e mbrojtur prej tij, në mënyrë private dhe pa kufizim kohor, në çdo gjendje të kufizimit të lirisë personale. Organet kompetente kanë të drejtë të mbikëqyrin takimin ndërmjet avokatit dhe personit të mbrojtur, por, në cdo rast, u ndalohet të dëgjojnë bashkëbisedimin ndërmjet tyre. Organi i prokurorisë, gjykata, administrata e burgjeve dhe Policia e Shtetit janë të detyruara të sigurojnë praninë e avokatit, kur këtë e kërkon personi i mbrojtur prej tij, i ndaluar, i arrestuar ose që është duke vuajtur dënimin. Në të gjitha rastet, prania e avokatit duhet të sigurohet menjëherë.

Avokati ka për detyrë ta ushtrojë profesionin e vet me ndershmëri dhe dinjitet, të respektojë rregullat e etikës profesionale dhe të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe të interesave të personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij. Avokati duhet të sigurojë që asnjë konflikt interesash nuk ekziston ndërmjet tij dhe personit që mbron ose përfaqëson. Avokatit i ndalohet të bëjë publike të dhënat, që i ka mësuar nëpërmjet personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij ose nga dokumentet që ky i fundit i ka vënë në dispozicion, në funksion të mbrojtjes së kërkuar, me përjashtim të rastit kur ai ka dhënë miratimin e tij me shkrim.

Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim në organin e ndjekjes penale dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar për personin, të cilit i ka kryer shërbime dhe ndihmë juridike, si dhe për rrethana që ai i ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit. Avokatit i ndalohet të marrë pjesë në një cështje, kur ai ka qenë i ngarkuar më parë në të si gjykatës, prokuror, oficer i Policisë Gjyqësore ose si dëshmitar. Avokati nuk lejohet të japë ndihmë ligjore ose të përfaqësojë një person, kur ka këshilluar ose ka përfaqësuar më parë palën kundërshtare në të njëjtën çështje, ose kur avokati ka lidhje gjaku apo ka interes të njëjtë me palën kundërshtare.

Avokatët, që shërbejnë në të njëjtën zyrë avokatie, nuk lejohen të përfaqësojnë palët kundërshtare në të njëjtën çështje. Avokatët, që ushtrojnë profesionin e tyre pranë së njëjtës zyrë avokatie, prezumohet se janë në dijeni dhe zotërojnë dokumentet për këdo që është mbrojtur apo përfaqësuar nga zyra e tyre. Përvec rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, avokati është i detyruar të sigurohet se nuk vepron në konflikt me interesat e personit që mbrohet ose përfaqësohet prej tij. Kur avokati dyshon se është duke vepruar në konflikt interesash, ai duhet të marrë miratimin me shkrim nga palët, të cilat mendohet se preken nga ky konflikt interesash.  

Bazuar në ligjin nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

To Top